Lajme

Baerbock: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donka Gërvalla-Schwarz ka takuar homologen e saj gjermane në Berlin. Dy kryediplomatet rikonfirmuan domosdoshmërinë e njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, theksoi se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën.

“Si qeveri gjermane, ne kemi një qëndrim shumë, shumë të qartë për njohjen”, tha Baerbock.

Ajo tha se Gjermania po punon në mënyrë aktive për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo nënkupton njohjen reciproke.

“Fuqia e Bashkimit Evropian është se edhe nëse keni mendime të ndryshme në  fusha të ndryshme të politikave, duhet ta mbrojmë njëri-tjetrin në rast nevoje, Ajo që kemi në nenin 5 të Traktatit të NATO-s është e sanksionuar edhe në traktatin evropian, angazhimi reciprok”, shprehet Baerbock.

Gërvalla nga ana e saj tha se lajme të tilla, edhe ajo si ministre, i ka mësuar nga mediat lokale dhe kujtoi se Rusia ushtron ndikimin kryesor në rajon nëpërmjet lajmeve të rreme në media.

“Kishte raportime në mediat lokale, u publikuan disa faqe që unë si ministre e Jashtme e vendit tim i pashë vetëm në media. Nuk duhet të anashkalojmë faktin se ndikimi rus në rajonin tonë shprehet kryesisht përmes raportimeve të rreme në media”, tha kryediplomatja e Kosovës.

Minsitrja e Jashtme e Gjermanisë e quajti liberalizimin e vizave për Kosovën si “prioritetin më të lartë”.

“Ne kemi kohë që po flasim për këtë. Që nga viti 2018, Komisioni tashmë i ka konfirmuar Kosovës se janë plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Javën e kaluar ai konfirmoi përparim të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit. Dhe tani ka ardhur momenti që jo vetëm të flasim. Tashmë nevojitet liberalizimi i vizave, dhe na takon neve si shtete të BE-së që ta realizojmë”, tha Baerbock.

Duke folur për takimin e së enjtes të ministrave të Brendshëm të BE-së në Bruksel, ajo tha se Gjermania ka bërë fushatë që kjo temë të kthehet në rend të ditës./DW

/Shqip.com