Babai i 6-vjeçares që u godit nga vetura në sheshin “Nëna Terezë”: Vajza ka ndrydhje të gjymtyrëve, i dyshuari është arrestuar

Një fëmijë i moshës 6-vjeçare është shkelur nga një veturë në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
I dyshuari, në mëngjesin e së dielës (15 maj) ishte futur në shesh me veturë, gjë e cila është e ndaluar, dhe kishte shkelur një vajzë të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.
Prindi i 6 vjeçares, Vërshim Kastrati ka thënë për Shqip.com se vajza përveç lëndimeve trupore ka edhe shqetësime emocionale.
“Aktualisht, vajza ka shqetësime emocionale si dhe dhimbje trupore nga goditjet e marra. Mjekët kane konstatuar që duhet të percjellet gjendja e vajzës pasi që ka edhe ndrydhje te gjymtyrëve nga aksidenti”, tha Kastrati.

Ndërsa, thekson se rastin e ka paraqitur në Polici.
“Rastin e kam paraqitur në Polici dhe se i dyshuari është arrestuar mbrëmë me urdhër të Prokurorit”, u shpreh Kastrati për SHQIP.com.

Në anën tjetër, në raportin e Policisë thuhet se i dyshuari me të kryer aksidentin, kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
“Lëndime trupore ka pësuar viktima femër kosovare (fëmijë 6-vjeç) pasi e njëjta gjersa ishte duke drejtuar biçikletën në hapësirën e sheshit, është goditur nga një veturë me targa e vendore e cila pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes”.
Më pas, i njëjti është kapur dhe është dërguar në mbajtje.
“Drejtuesi i veturës është identifikuar dhe arrestuar dhe i njëjti me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njofton më tej Policia./SHQIP.com

