Lajme

“Baba i tenderëve” sërish në krye të Prokurimit

Nexhat Krasniqi është rikthyer në krye të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Vendimin e ka publikuar deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ku thuhet se është shfuqizuar krijimi i njësisë së përbashkët të prokurimit si dhe vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil.

Ndërsa, Ndriqim Mustafa, në bazë këtij vendimi është kthyer në pozitën Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit vetëm për pjesën e ish-MMPH-së.

Ky vendim ka ardhur pasi, Krasniqi ëshë ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës.

Ndryshe, SHQIP.com ka raportuar se Krasniqi brenda një afati rekord prej 6 ditësh u vendos në dy pozita udhëheqëse.

Lexo edhe:
MMPHI-ja me afat rekord për transferim të Nexhat Krasniqit në dy poste, asnjëra s’i pëlqen

Sipas dokumenteve të siguruara nga Shqip.com, më 12 gusht të këtij viti, Krasniqi ishte emëruar udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun.

Kurse, më 22 gusht u transferua përkohësisht në pozitën e udhëheqësit të Divizionit të Inspektimit për Infrastrukturë Rrugore.

Ankesa e Krasniqit në lidhje me pozitën për shef të mediave në MMPHI, sipas Arben Mehmetit, anëtar i KPMSHCK-së, është ende në shqyrtim.

“Vendimi ende s’është marrë për ankesën e parë, është duke u trajtuar. Afati është prej 45 ditësh por nëse i vazhdohet afati kemi të drejtë edhe 10 ditë, pra gjithsej 55 ditë”, u shpreh Mehmeti.

Për lëvizjet e shpeshta në pozita të Krasniqit, zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishit tha për Shqip.com se nuk është përgjegjësi e tij e as e ministrit, Liburn Aliu.

Çka i parapriu situatës?

Por, të gjithë kësaj situate i parapriu vendimi i datës 29 korrik 2022, me të cilin Ndriçim Mustafa u vendos në pozitën e tij si udhëheqës i Divizionit të Prokurimit.

Për këtë, Krasniqi u ankua se i janë shkelur dispozitat ligjore me zëvendësimin e tij nga udhëheqës i Divizionit të Prokurimit, KPMSHCK-ja ia kishte refuzuar ankesën si te pabazuar.

Shkarkimin e Krasniqit, ministria e kishte arsyetuar duke thënë se kjo ka ndodhur si rezultat i bashkimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve të dy Divizioneve të Prokurimit, deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re për organizimin e brendshëm të MMPHI-së.

Në vitin 2015-të, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit dhe disa personave të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të tjera, lidhur me disa tenderë që lidheshin me ish-Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT).

Për këtë aktakuzë, Krasniqi ishte shpallur i pafajshëm më 2017-të.

/Shqip.com