Lajme

Azerbajxhan/ Rama: Synojmë të ndërtojmë një qendër të gazit natyror në Vlorë

Kryeministri i vendit, Edi Rama ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, si i ftuar nderi i Presidentit Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, si edhe për të diskutuar për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë samit, kryeministri Rama është shprehur se synohet që të ndërtohet një qendër e gazit natyror në Vlorë në bashkëpunim me partnerët.

“Po kërkojmë të ecim para drejt projektit të gazifikimit të vendit dhe e kemi nisur këtë proces gazifikimi duke shkuar kundër asaj që në historinë tonë na ishte privuar. E vlerësojmë shumë këtë kapitull të ri në procesin tonë të zhvillimit. Duke u mbështetur në përvojën e suksesshme të bashkëpunimit me TAP-in, në bashkëveprim me partnerët tanë, synojmë të ndërtojmë një qendër të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë, një qytet kyç bregdetar në jug të Shqipërisë”, ka deklaruar kryeministri Rama.

Kryeministri Rama është shprehur se “Korridori Jugor ka ndryshuar jetë dhe e ka bërë Evropën më të sigurtë teksa ka shtuar se gazi i Azerbajxhanit së shpejti do të bëhet thelbësor për jetën tonë”.

“Nuk do të jem më i përulur se sa kaq nga mikëpritja që më është ofruar sot dhe nuk mund të ndihem më i nderuar nga fjalët që presidenti përdori për të përshkruar natyrën mes marrëdhënies mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë dhe marrëdhënies tonë personale. Vite më parë, presidenti tha që Korridori Jugor përcakton një format unik të bashkëpunim do të shtrihet masivisht në shumë fusha të tjera. Kjo rrugë e re e energjisë, Korridori Jugor është shndërruar në një urë bashkëpunimi intensiv. Sot, ky format është shndërruar në një urë, një urë ku pjesë e re përbërëse është bërë edhe dimensioni i energjisë së gjelbër. Sot jemi dëshmitarë se Korridori Jugor ka ndryshuar jetë dhe e ka bërë Evropën më të sigurtë. Korridori Jugor do të mbetet një prej burimeve të pakta të qëndrueshme dhe konkurruese të transportimit të gazit. Me për qindjen e gazit rus që po bie, së shpejti në 0 për qind, gazi i Azerbajxhanit, thelbësor për të ardhmen tonë”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri Rama e vuri theksin tek investimet në energjinë e ripërtëritshme, për të cilën tha se janë thelbësore për Shqipërinë.

Synojmë të orientojmë më tej investimet drejt energjisë së ripërtëritshme. Shqipëria është 100% e mbështetur si vend në energjinë e ripërtëritshme. Të ridiversikojmë burimet tona të energjisë. Investimet në energjinë e ripërtëritshme, thelbësore. Vitet e fundit, e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të novacionit në sektorin e energjisë”, tha kryeministri Rama.

/Shqip.com