Ekonomi

Azemi: Pagën nën 400 euro ta mbajnë për vete

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur kundër propozimit të Qeverisë që paga minimale në sektorin privat të jetë 260 euro.

Azemi për Shqip.com ka deklaruar se paga minimale në sektorin privat duhet të jetë mbi 400 euro dhe çdo pagë tjetër do të jetë e papranueshme për këtë sektor.

“Për neve (sektorin privat) e kemi thënë më herët se çdo pagë nën 400 euro le ta mbajnë për vete dhe nuk nënshkruajmë pagë nën këtë çmim dhe kjo çështje është lojë, por megjithatë unë nuk kam menduar që Qeveria do të bie në këtë nivel aq të ulët të propozojë një pagë e tillë”, u shpreh Azemi.

Mes tjerash, kryetari i kësaj Sindikate tha se nuk kanë pranuar të marrin pjesë në mbledhje për të diskutuar për pagën minimale, pasi ka vlerësuar se “këto janë lojëra me një pagë 250- 260 euro dhe kemi parë një joseriozitet, pasi ka pasur njerëz që janë joadekuat në atë mbledhje”.

Ndërsa shprehet i bindur se Qeveria do ta votoj këtë propozim i cili sipas tij, do të ndikoj negativisht tek punëtorët.

“Kam bindje që kjo pagë do të votohet pasi ata (Qeveria) kanë 2/3 e votave, por nuk janë duke e ditë që kështu vetëm janë duke e përshpejtuar ikjen e punëtorëve nga Kosova, pasi nuk ka diçka që është duke shkuar nga ana pozitive”.

Lexo edhe:

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se të enjten kanë mbajtur takimin e Këshillit Ekonomik Social ku pikë e rendit të ditës ishte miratimi i propozimit për rritjen e pagës minimale.

Sipas tij, një përllogaritje e pagës që është prezantuar në KES ishte që paga minimale të jetë 240 euro në muaj.

Mirëpo Qeveria propozoi që paga minimale të jetë 264 euro në muaj, propozim të cilin sipas Muratit nuk e pranuan sindikatat e punëtorëve.

 “Si qeveri propozuam që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, që është në vijë edhe me premtimet tona për pagë minimale dhe për lirimin e saj nga tatimi. Megjithatë, propozimi nuk mori votat e nevojshme sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën”, ka shkruar Murati në Facebook.

Aktualisht paga minimale në sektorin privat është 170 euro./Shqip.com