Lajme

AVONET kritikojnë gjuhën denigruse në Kuvendin e Kosovës

Organizata AVONET përmes një reagimi për media e kanë dënuar gjuhën denigruese të përdorur në Kuvendin e Kosovës nga përfaqësuesit e popullit.

Kjo organizatë e monitoron në vazhdimësi Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku shpesh herë edhe merr pjesë në monitorim të seancave të mbajtura nga Kuvendi i Kosovës.

“AVONET, edhe sot ka përcjellur me vëmendje seancën e mbajtur të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shpreh shqetësimin e thellë për nivelin e diskutimit parlamentar dhe përdorimin e gjuhës joparlamentare.

Duke qenë se Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë i vendit dhe njëherit duke qenë edhe organ legjislativ, duhet të shërbej si vend ku mbizotërojnë vlerat e demokracisë e jo të shndërrohet në një vend të akuzave të ndërsjella.

AVONET e dënon gjuhën e përdorur nga ana e përfaqësueve të popullit, sepse Kuvendi si I tillë do të duhej të shërbente në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, e jo të shndërrohet në nje arenë të kërcënimit, fyerjeve dhe tentimit për të sulmuar gojarisht grupet paralamentare”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kërkojnë nga deputetët që të mos përdorin gjuhë denigruese dhe joparalamentare, por të zbatojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.

Tutje, kjo organizatë kërkon që të merren masa të menjëhershme ndaj deputetëve që përdorin gjuhë joparlamentare.

/Shqip.com