Lajme

AVONET e cilësojnë skandaloz vendimin e Gjykatës për vrasjen e Agonit Tetajt

Organizata AVONET ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Pejës, që gjatë ditës së djeshme e ka dënuar Shaban Gogajn me 7 vite e 6 muaj, për vrasjen ndaj Agons Tetajt.

Sipas tyre vendimi është skandaloz, jo profesional dhe i padrejtë.

“AVONET ka ndjekur me shqetësim mënyrën se si është zhvilluar çështja penale në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj. Ricilësimi i këtij rasti nga vrasje e rëndë, në vrasje nga pakujdesia paraqet gjithçka tjetër, vetëm drejtësi jo. Prandaj ne e shohim këtë proces si skandaloz, jo profesional e të padrejtë”, thuhet në reagimin e organizatës AVONET.

Për më tepër problematike sipas tyre është edhe fakti i zvarritjes së këtij rasti, pa zhvilluar asnjë seancë për një vit, duke krijuar pasiguri juridike për qytetarët e vendit.

Kërkesa e tyre si rrjet është që Gjykata e Apelit ta kthejë në rigjykim, për arsye se vendimi i Gjykatës së Pejës nuk ka kuptum dhe se lënda duhet të delegohet në një gjykatë tjetër.

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Pejës, dje ka reaguar edhe ministrja Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se vendimi është i padrejtë.

Kujtojmë se seanca e Shaban Gogajt tash e 1 vit kishte dështuar të mbahet sepse i akuzuari nuk prantonte që të mbrohej nga avokatët që caktoheshin nga Oda e Avokatëve të Kosovës./SHQIP.com/

/Shqip.com