Lajme

Avokati Roberts: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të fillojë më 3 prill

Foto nga gjykimi i Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit
Foto nga gjykimi i Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit

Në seancën përgaditore në rastin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së sot në Dhomat e Specializuara të Hagës, avokati Geoffrey Roberts deklaroi se me palët mbrojtëse të të akuzuarve janë pajtuar që gjykimi të fillojë më 3 prill.

“Në mocionet e dërguara mbrëmë, me palët mbrojtëse u pajtuam për datën 3 si datë e gjykimit. Propozimi jonë është që të fillojmë me datën 3 prill me urdhërin për 12 dëshmitarët dhe shpresojmë që ky të jetë një pozicion i pranishëm për trupin gjykues”, tha Roberts, shkruan Klankosova.tv.

Roberts përmendi se kërkesën për datën e propozuar të fillimit të gjykimit ia kanë parashtruar edhe Prokurorisë, nga e cila kanë marrë pajtimin e saj.

Por, mbetet vendimi i gjykatësit për të konfirmuar datën e fillimit të gjykimit.

Ndërkohë, Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani ka siguruar mbi 300 dëshmitarë në rastin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Sipas Prokurorisë, në procesin e gjykimit do të përmenden mbi 40 vende ku pretendohet të jenë kryer krimet.

Prokuroria ka argumentuar se i duhen rreth 700 orë për paraqitjen e të gjitha provave – deri kah fundi i vitit 2024 apo fillimi vitit 2025 – ashtu që të ketë proces të drejtë gjyqësor.

Mbrojtja, në anën tjetër, ka kërkuar që procesi të mos zgjasë pafund dhe i ka kërkuar gjykatës që të shkurtojë kohën e paraqitjes së provave nga Prokuroria.

Sipas mbrojtjes, Prokuroria ka “mungesë të qartë fokusi” në mënyrën si është paraqitur rasti.

“Të gjithë vijmë të pika që në fund do të kemi një material shumë të gjerë, që askush nuk e di sa i rëndësishëm është. Avantazhi i Prokurorisë është që në këtë mënyrë e shtyn çështjen, duke futur sa më shumë materiale në proces”, ka thënë avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson.

Këto shkëmbime mes palëve janë kryer në konferencën përgatitore të 15 shkurtit për këtë proces gjyqësor.

Përgjatë konferencës, gjyqtari Charles Smith III, ka kërkuar nga Prokuroria që të konfirmojë nxjerrjen e të gjitha materialeve që i posedon.

Prokuroria ka thënë se mund të ketë edhe 700 dokumente shtesë për t’i prezantuar, përveç 56 mijë dokumente që tashmë ka thënë se i ka dorëzuar mbrojtjes.

Avokati mbrojtës i Krasniqit, Aidan Ellis, ka thënë se beson që mbrojtjes ende nuk i janë dorëzuar të gjitha materialet që i posedon në total Prokuroria.

Gjykatësi Smith III, ka thënë po ashtu se beson që mbrojtja nuk është pajisur me të gjitha dokumentet.

“Elementi i nxjerrjes së materialeve është thelbësor për një proces të rregullt gjyqësor dhe nuk është detyrë dytësore e Prokurorisë. Çdo që keni në zotërimin tuaj do të duhej të ishte nxjerrë. Nuk ka asnjë arsye për këtë gjë. E kuptoj nëse (materialet) i keni marrë dje ose pardje dhe duhet të jepni njoftim, por nga ana tjetër, duhet të keni parasysh se ne do ta fillojmë procesin gjyqësor së shpejti”, ka thënë gjykatësi Smith III.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

/Shqip.com