Lajme

Avokati i Veselit: Dokumentet e UÇK-së të prezantuara nga ZPS, s’kishin të bënin me realitetin

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në ditën e parë të gjykimit mbështeti provat e saj në dokumentet rregullatore të UÇK-së, duke u mbështetur në dëshmitë e dëshmitarit Bislim Zyrapi.

Zyrapi gjatë luftës ka qenë shef i Shtabit të UÇK-së.

Zyrapi ka dëshmuar disa herë për këto dokumente në Hagë. Ai ka dëshmuar se këto rregulla ishin thjesht në nivel aspirate, nuk u vunë asnjëherë në jetë, ishin projekt-dokumente që nuk kishin të bënin asgjë me realitetin”, tha Emmerson.

Ai tha se këto dokumente, që u hartuan në fund të vitit 1998, kishin për synim që ta bënin më profesionale UÇK-në.

“….për ta konvertuar nga një forcë guerile, në një ushtri që do të ishte e aftë për të mbrojtur popullatën civile nga një fushatë e spastrimit etnik”, tha ai.

Emmerson po ashtu tha se disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK për qëllime politike, e disa të tjerë janë distancuar për shkak të frikës se mund të përballen me një gjykim, raporton REL.

“Disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës, por të tjerë janë përpjekur të distancohen nga ngjarjet, sepse e kanë ditur se disa prej veprimeve të tyre kanë qenë të dyshimta, dhe mund të dilnin një ditë para një gjykate penale”, tha ai.

Sipas Emmerson gjatë këtij gjykimi do të paraqitet një panoramë e ndërlikuar e një periudhe kaotike, për shkak të distancës kohore prej kur ka ndodhur lufta e deri te nisja e gjykimit.

/Shqip.com