Lajme

Avokati i Thaçit: Policia e Kosovës i ka kthyer përgjigje Speciales

Foto nga gjykimi i Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit
Foto nga gjykimi i Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit

Mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati Gregory W.Kehoe, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka kthyer një përgjigje, e cila është në proces të përkthimit, lidhur me kërkimin e lirimit të përkohshëm të Thaçit dhe të tjerëve, transmeton Shqip.com.

Kehoe ka kërkuar udhëzime nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, lidhur me hapat që duhet ndjekur rreth kërkesës për lirim të përkohshëm të ish-krerëve të UÇK-së që po akuzohen në Hagë.

Mbrojtja e Hashim Thaçit, Greogry W.Kehoe në Dhomat e Specializuara

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve, avokati Kehoe ka thënë se duket që ka ende shumë kohë deri në fillimin e gjykimit, andaj ka kërkuar udhëzime se cilat rrugë duhet ndjekur për të proceduar çështjen e lirimit me kusht.

“Do të doja t’u kërkoja juve se çfarë rruge duhet të ndjekim ne sa i takon kërkimit të lirimit të përkohshëm”.

“Kemi një përgjigje nga policia që është në proces përkthimi, kemi një proces të tillë që ju e dini deri në çfarë pike ka shkuar, kështu që duam të kërkojmë mendimin tuaj se çfarë rruge të ndjekim ne për të kërkuar për lirimin e përkohshëm të tyre sepse duket që ka goxha kohë derisa të fillojë procesi i gjykimit”, ka thënë mbrojtja e Thaçit, raporton KP.

Por, gjyqtari Guillou ka thënë se një çështje të tillë ai mund ta parashtrojë me shkrim meqë kjo konferencë nuk e ka në rend dite një diskutim të tillë. /Shqip.com