Avokati i Thaçit në Hagë: Nuk ka asnjë kusht për mbajtjen e tij në paraburgim
Dastid Pallaska, avokat mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, thotë se nuk ekziston asnjë kusht për mbajtjen e tij në paraburgim.
Sipas tij, Thaçi po mbahet në paraburgim me supozime se mund të ndikojë në zhvillimin e procedurave, ani pse deri tani nuk janë ofruar prova konkrete që e arsyetojnë këtë dyshim.
Mes tjerash, Pallaska shton se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të fillojë në fund të këtij viti, por kjo periudhë ende mbetët vetëm parashikim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, nga nëntori i vitit 2020 po vazhdojnë të qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë ndaj të cilëve rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte dhe përveç konferencave statutore, procesi gjyqësor ende nuk ka filluar.
Avokati Pallaska thotë se gjatë vitit të kaluar procesi është shoqëruar me shkelje të mëdha procedurale të cilat kanë vështirësuar punën e mbrojtjes.

“Procedura ka shkuar në mënyrë jo të mirë për arsye se procesi është shoqëruar nga shkelje të mëdha procedurale të cilat e kanë vështirësuar jo vetëm punën tonë por edhe kanë penguar realizimin e të drejtave të personave që janë para kësaj gjykate”.
“Kryesisht kemi pasur të bëjmë me mocione preliminare ku kemi kundërshtuar juridiksionin e kësaj gjykate në kuptimin që, juridiksioni ashtu siç është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, është tejet i kufizuar, pra çfarëdo vepre penale që ndiqet penalisht atje duhet të jetë e ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejt me pretendimet e Dick Martyt, përkatësisht me krimet që pretendon se i ka identifikuar aty”.
“Ndërsa nëse e keni parë aktakuzën, ajo është jashtëzakonisht e gjerë pothuajse përfshin çfarëdo dhe njëfarë mënyrë i humb efekti special i kësaj trupe”, thotë Pallaska për KosovaPress.
Sipas tij, ani pse Thaçi dhe të tjerët janë dorëzuar në mënyrë vullnetare, trajtimi atje po bëhet sikur të njëjtit të ishin arrestuar.
“Përkundër faktit që klienti im dhe shumica që gjenden atje janë dorëzuar në mënyrë vullnetare, në rastin tonë ish-presidentit Thaçi ka hequr dorë nga imuniteti kushtetues personal që e ka mbrojtur atë personalisht nga arresti dhe paraburgimi, ai konsiderohet se është arrestuar dhe trajtohet atje sikur të ishte ndonjë person që është kapur në flagrancë duke synuar që t’i shmanget drejtësisë”.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm./SHQIP.com