Lajme

Avokati i Popullit: ZRRE shkeli të drejtat e qytetarëve

Avokati i Popullit, Naim Qelaj

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se vendimet e Gjykatave duhet të zbatohen. Kjo pas pezullimit të vendimit për shtrenjtimin e rrymës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Qelaj ka theksuar se nëse Gjykata Themelore e anulon vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, atëherë qytetarët duhet të rimbushen për muajt që kanë paguar tarifa më të larta për energjinë elektrike.

Këto deklarata Qelaj i bëri gjatë një intervistë për gazetën Nacionale.

“Vendimi i Gjykatës për energjinë mund të them se ka qenë vendim i pritur nga ana jonë. Prej momentit kur ZRRE-ja ka marrë vendimin në fjalë, ne kemi filluar një hulumtim të mirëfilltë të krejt aspekteve që lidhen me cenimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Kosovës me anë të këtij vendimi, dhe besoj që javën tjetër do të dalim me një opinion që do të jetë qëndrim zyrtar i Avokatit të Popullit me gjetjet që kemi gjetur gjatë këtij hulumtimim dhe me konstatime dhe rekomandime se si duhet ta kalojmë këtë situatë.”, ka thënë Qelaj.

Më tutje, avokati i popullit ka thënë se megjithëse nëse anulohet përfundimisht vendimi dhe konsiderohet i kundërligjshëm, pa dyshim se duhet me i kompensuar qytetarët për këtë periudhë sa janë faturuar me tarifa të reja./Shqip.com