Lajme

Avokati i Popullit u dërgon draft-marrëveshje SBASHK-ut dhe Qeverisë

Avokati i Popullit, Naim Qelaj

Avokati i Popullit, Naim Qelaj u ka paraqitur një draft-marrëveshje Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës të Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për ndalimin e grevës në arsim.

Sipas njoftimit, Qelaj ka pranuar një propozim nga SBASHK-i dhe palët tjera të përfshira në krizën e grevës në arsim.

“Me qëllim që të arrihet marrëveshja, Avokati i Popullit u është drejtuar palëve me një draft marrëveshje në të cilën ka propozuar një zgjidhje të mundshme, si zgjidhje e balancuar mbi bazën e qëndrimeve që palët kanë prezantuar, e njëkohësisht me kujdes janë paraqitur qëndrime që mund të sjellin konsensus”, thuhet në komunikatën për media.

SBASHK

Nga ky institucion, theksojnë se do të angazhohen për të përafruar palët në marrëveshje, duke ripërsëritur se është urgjente gjetja e një zgjidhjeje.

Theksojmë se tash e katër javë sistemi arsimor publik në të gjitha nivelet në Kosovë ka hyrë në grevë deri në një afat të pacaktuar.

Çerdhet, shkollat fillore, shkollat e mesme dhe universitetet po vazhdojnë të jenë të mbyllura kjo pasi ende nuk ka asnjë marrëveshje mes SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.

Punëtorët e arsimit po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj./Shqip.com