Lajme

Avokati i Popullit i kërkon SBASHK-ut dhe qeverisë të reflektojnë për grevën

Avokati i Popullit
Avokati i Popullit

Avokati i Popullit i ka bërë thirrje Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverisë të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës së përgjithshme në arsim.

Avokati Popullit përmes një komunikate për media bënë me dije se ka pranuar përgjigje nga qeveria me qëndrimin se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjet e prekura nga Avokati ndërsa janë në pritje të përgjigjes nga sindikatat.

“Avokati i Popullit me qëllim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, duke marr shkas nga situata e krijuar për shkak të grevës të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, thërret palët të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhje për të dal nga kjo situatë.

Avokati i Popullit, ditëve të fundit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësues të Sindikatave dhe të Qeverisë në përpjekje për të ndihmuar në daljen nga kjo situatë. Përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e tij si ndërmjetësues, fatkeqësisht nuk është arritur një marrëveshje në mes palëve. Palët nuk kanë gjetur një konsensus duke mbajtur qëndrimin e njëjtë kur vjen në pyetje lartësia financiare e pakos mbështetëse”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Ndërsa, konstaton se në situatën e krijuar e drejta për arsim si e drejtë kushtetuese nuk është duke u respektuar duke shtuar se “fëmijëve po iu cenohet kjo e drejtë dhe janë duke u privuar nga e drejta për edukim dhe arsimim, e kjo do të ketë pasoja të rënda për fëmijët dhe për vendin”.

“Çdo orë mësimi për fëmijët është i rëndësishëm për përgatitjen e tyre për jetë dhe ngritjen e potencialit të tyre për një të ardhme më të mirë.Në fund, për diskutimet dhe çështjet e ngritura në mes palëve, Avokati i Popullit iu ka dërguar palëve, që të japin përgjigje. Avokati Popullit, sot ka pranuar përgjigje nga qeveria me qëndrimin se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjet e prekura nga Avokati ndërsa janë në pritje të përgjigjes nga sindikatat”, vijon më tej komunikata.

Theksojmë se SBASHK-u ka nisur grevën në arsim më 25 gusht me kërkesën për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave./Shqip.com