Lajme

Avokati i Gucatit publikon emrat e serbëve që kanë kryer krime me të cilët dyshon që ZPS po bashkëpunon

Avokati Jonathan Elystan Rees dhe Hysni Gucati

Mbrojtja e Hysni Gucatit në Hagë, avokati Jonathan Elystan Rees, në seancën e sotme gjyqësore ka thënë se do të paraqesin prova që kanë të bëjnë me emra të serbëve të cilët kanë kryer krime në Kosovë dhe nga të njëjtit Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar bashkëpunim.

Sipas avokatit Rees, “ZPS me qëllim që të ndjek agjendën e saj, u ka kërkuar bashkëpunim atyre që janë përgjegjës për masakra ndaj civilëve në Kosovë”.

“Milan Stojanoviq, Bogdan Periq, Branislav Rakiq, Nebojsha Trajkoviq e Milovan Drecun”, janë disa prej emrave të cilët i ka përmendur mbrojtja e Gucatit, përcjell Shqip.com.

“Gjatë çështjes sonë të mbrojtjes ne do të parashtrojmë prova të tjera që kanë të bëjnë me emra të tjerë që tregojnë që ZPS ka kërkuar bashkëpunim nga ta duke përfshirë Nebojsha Trajkoviq i njohur ndryshe si Lutka, zëvendës shefi i njohur i Gllogovcit në njësinë OUP të njësisë për punët e brendshme të ministrisë së Sllobodan Millosheviqit për çështje të brendshme, Gllogovc që njihet si Drenas tani, ka qenë vendi ku kanë ndodhur ekzekutime të shumta, rrahje, vjedhje, të forcave të sigurisë serbe në pranverë të vitit 1999”, tha më tej avokati Rees.

Avokati, Jonathan Elystan Rees

Avokati Reec ka thënë se ZPS në vend që të kërkojë drejtësi për masakrat ndaj civilëve në Kosovë, kërkon bashkëpunimin e kryesve të këtyre veprave në mënyrë që të përmbush agjendën e saj.

Ai iu është referuar në disa artikujve të botuar nga mediat ku sipas tij është bërë i ditur bashkëpunimi i ZPS-së ne persona të caktuar në Serbi, ndër të cilët edhe me përgjegjës të masakrës së Mejës në Gjakovë.

Gjatë seancës, Rees ka thënë se Gucati është shprehur sa i përket shqetësimeve lidhur me Gjykatën Speciale, porse sipas tij, fjalët e tij i janë kthyer kundër nga prokurori i specializuar i cili e ka etiketuar Gucatin si oponent të shprehjes ashpër kundër institucionit.

“Një shprehje që Gucati ka përdorur është që ZPS nuk ndjekë drejtësinë për të gjithë por vetëm për ca. Pretendimi i prokurorit të specializuar në deklaratën hapëse se kjo gjykatë duhet të jetë një që shtytet nga viktimat, cenohet nga veprimet e zyrës së vet e cila ndjek jo rrugën e dyerve të çdokujt që mund të kenë prova për kriminelë, por mandatin e vet. Është arrogante dhe e pasaktë në masa të barabarta për ZPS që të prezumojë që drejtimi që ka marrë për të ndjekur këtë agjendë është e njëjtë në të gjitha aspektet e mundshme”, përfundoi ai.

Pas kësaj, ka përfunduar për sot seanca gjyqësore./Shqip.com