Lajme

Avokati i familjes Dehari nuk lejohet të marrë pjesë në intervistimin e Haki Abazit

Tomë Gashi & Astrit Dehari

Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi nuk është lejuar që të marrë pjesë në procesin e intervistimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazit.

Siç raporton EO, Tomë Gashi tha se e ka menduar që nuk do të lejohet të marrë pjesë, madje prokurorin e akuzon për mostransparencë në hetimin e rastit të Astrit Deharit.

“Unë faktikisht kam menduar që ai do të veprojë ashtu siç veproi tani që thjesht nuk lejoi që me marrë pjesë në cilësi të avokatit, përfaqësuesit juridik të familjes Astrit Dehari dhe i ka njoftuar zyrtarët përkatës, mos të më lejojë pjesëmarrjen gjatë dëgjimit të deputetit Haki Abazi. Deputeti veç ka hy në zyrën e prokurorit dhe besoj që intervistimi i tij ose ka filluar ose do të fillojë për pak minuta këto janë çështje procedurale dhe për këtë arsye kam paraqitur një shkresë paraprakisht sepse prapë po them që duke e ditur mostransparencën e prokurorit Afrim Shefkiut në rastin e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit”, tha ai.

Avokati Gashi thotë se është në pamundësi që ta dijë se çfarë po deklaron Haki Abazi.

“Pra zhdukja e mostrave të mjekësisë ligjore ka të bëjë drejtpërdrejtë me dëmtimin e hetimit të këtij rasti ku unë kam paraqitur një shkresë në bazë të secilës kam kërkuar që prokurori i rastit Afrim Shefkiu të na njoftojë me shkrim arsyet e moslejimit të pjesëmarrjes sime në dëgjim gjatë dëshmitarit Haki Abazi. Kështu që unë do të jem faktikisht në pamundësi ta dijë se çfarë po deklaron deputeti Haki Abazi në deklaratën e tij në cilësi të dëshmitarit dhe ju mbetet juve që ta intervistoni pas daljes së tij”.

Disa ditë më parë përmes një konference për media, deputeti i Vetëvendosjes Haki Abazi ka thënë se duhet të kërkohen disa video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.

“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar  deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.

Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.

“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.

Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.

/Shqip.com