Lajme

Avni Kastrati emërohet ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv të ASK-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar të premten e 17 nëntorit, Avni Kastratin, ushtrues detyre të drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai duhet bazuar në të dhëna të besueshme dhe profesionistë të përkushtuar ndaj suksesit të nismës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Kryeministri Kurti u njoftua nga Kastarti rreth sfidave dhe problemeve të shumta brenda Agjencisë, të cilat e kanë ngadalësuar edhe procesin e regjistrimit.

“Menaxhmenti i ri dhe një frymë e re e përkushtimit ndaj rezultatit është e domosdoshme për zbatim dhe finalizim të procesit të regjistrimit të popullsisë. Kastrati, tanimë në detyrë të re, do të njoftojë kryeministrin Kurti ditëve në vijim me hapat e radhës në kuadër të procesit regjistrimit, pas sigurimit të pajisjeve teknike për këtë proces”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

/Shqip.com