Lajme

Avioni ukrainas që u rrëzua në Greqi, barte armë nga Serbia

Avioni ukrainas i mallrave, që u rrëzua të shtunën vonë në Greqi, po transportonte 11.5 tonë armë serbe në Bangladesh, tha të dielën ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.

Duke folur në një konferencë për media, Stefanoviq konfirmoi se pronare e avionit është një kompani ukrainase dhe se prodhues i armëve është kompania serbe “Valir”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Të tetë anëtarët e ekuipazhit të avionit humbën jetën, njoftoi televizioni shtetëror grek të dielën.Stefanoviq tha se avioni bartte minahedhës dhe mina të tjera.

Ai tha se avioni nuk ishte në rrugë drejt Ukrainës, se armët nuk ishin të destinuara për Ukrainën dhe se kompania ukrainase ishte vetëm pronare e avionit.

Thuhet se piloti kërkoi një ulje emergjente në aeroportin e Kavallës për shkak të një problemi me motorin, por nuk ishte në gjendje të arrinte në pistë.

Pamjet janë shfaqur që supozohet se tregojnë aeroplanin tashmë në flakë teksa zbriste, i ndjekur nga një shpërthim i madh pasi goditi tokën.

“Në orën 22:45 (19:45 GMT) u befasova nga zhurma e motorit të avionit,” tha për ERT një banor lokal Giorgos Archontopoulos. Dola jashtë dhe pashë motorin në zjarr”.

Sipas disa raporteve të mediave, dëshmitarët okularë dëgjuan gjithashtu shpërthime. Sipas mediave greke,  dyshohet se një avion ka rënë në rrugën që lidh Antifilipin me Palaiohorin në Greqi.

Raportet tregojnë se avioni humbi motorin e tij të katërt në ajër dhe mori flakë. Edhe pse ka lajmëruar, nuk ka arritur të zbresë./SHQIP.com