Lajme

Autostradën që ia kërkoi BE-ja, Qeveria s’e ka futur fare në projektbuxhet

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Qeveria e Kosovës nuk e ka futur fare “Autostradën e Paqes”, në projektbuxhetin për vitin 2022, të njëjtën që ia kërkoi Bashkimi Evropian.

Ndër pikat kryesore të këtij buxheti është ndërtimi i një rruge, por jo i asaj që e lidhë Prishtinën me Merdarë. E vetmja rrugë që pritet të ndërtohet me këtë buxhet, është ajo Prizren-Tetovë, që sipas Qeverisë “do të bashkojë dy qytetet që i ndan mali i përbashkët i Sharrit”.

Edhe pse Komisioni Evropian po i kërkon që të angazhohet në nismat e mëdha infrastrukturore, si kjo autostradë Prishtinë-Merdarë, ky projekt nuk do të mund të fillojë së paku deri në vitin 2023.

Kjo kërkesë u bë nga Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi në takimin e katërt të mbajtur midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të mbajtur në Bruksel.

“Folëm edhe për tregun e përbashkët rajonal, që është çelësi për zbatimin e planit tonë ekonomik e investues për Ballkanin Perëndimor. Ka shumë pak kuptim që të ndërtohen rrugë të reja e përmirësojmë hekurudhat e të kualifikojmë fuqitë punëtore kur në terren ka aq shumë barriera të ndryshme”, tha Varhelyi.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi

Pavarësisht detajeve që janë bërë të ditura nga Qeveria e Kosovës mbi projektbuxhetin për vitin 2022, nga Ministria e Infrastrukturës thonë se ka mjete të ndara në këtë projektbuxhet, por nuk ka ende marrëveshje me BERZH-in për financim.

Kështu thotë për Gazetën Shqip.com, zëvendësministri Hysen Durmishi, i cili shton se është procedurë për të cilën tashmë janë bërë disa hapa, por që duhet kohë për t’u finalizuar si projekt, së paku edhe për një vit më shumë.

“Një grant është fituar, po presim me një grant tjetër e ndërkohë ta nënshkruajë Ministria e Financave një marrëveshje me BERZH-in dhe bankat tjera, tek pasi të finalizohet kjo dhe kalon në Kuvend, do të fillojmë me procedurat tjera, për atë po them merr kohë”, arsyetohet Durmishi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se është e kuptueshme që Qeveria nuk ka ndarë mjete në projektbuxhetin e vitit 2022 për këtë autostradë, sepse, sipas tij, kjo ndarje nuk është bërë pasi për një projekt të tillë duhet të kërkohet të financohet nga donatorë dhe nga institucione kredibile evropiane e edhe botërore.

“Është e vërtetë që nuk ka mjete të ndara në projektbuxhet për vitin 2022, se kuptohet që një projekt i tillë duhet të kërkohet të financohet nga donatorë dhe nga institucione kredibile edhe evropiane edhe botërore, prandaj besoj që për një rrugë të tillë ka zotime edhe përmes marrëveshjes së Uashingtonit dhe përmes Brukselit që do të mbështetet për të përfunduar”, ka thënë Gërxhaliu për Shqip.com.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që është një zotim, në rend të dytë është një obligim dhe në rend të tretë, të gjithë shpresojmë që përmes dialogut do të zgjidhen këto probleme, do të eliminohen barrierat dhe do ta kemi një Ballkan Perëndimor siç dëshirojmë me zhvillim dhe bashkëpunim rajonal”, shton ai.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu

Autostrada Prishtinë-Merdarë, e njohur ndryshe edhe si “Autostrada e Paqes”, është një nga projektet e përfshira në marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./SHQIP.com