Lajme

Autoritetet ia ndaluan daljen nga autostrada në kompani – Arifi shpërfill vendimin e qeverisë

Automjeti i ERC Trade duke hyrë në rrugën ilegale

Pas ndërhyrjeve anti-ligjore nga kompania ‘ERC Trade’, në krye të së cilës qëndron Arben Arifi, të njëjtin i është ndaluar puna nga Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës, por ky vendim mbeti në letër.

Arifi duke mos u treguar i dëgjueshëm në vendimin e autoriteteve, ka vazhduar ta mbajë të hapur rrugën e krijuar në autostradën “Ibrahim Rugova” që çon te objekti i kompanisë së tij, të paktën deri në fund të muajit gusht kur edhe është xhiruar nga Shqip.com.

Gjatë xhirimeve të zhvilluara nga Shqip, më datën 26 gusht të këtij viti, shihet vetura e kompanisë teksa eviton autostradën përmes daljes ilegale, e cila vazhdon të jetë e hapur sikurse kyçja që gjendet disa metra më lart.

Nga qeveria thonë se do t’i bllokojnë kyçjet, por ende gjithçka është në nivel fjalësh.

“Inspektoriati veç ka marrë vendim që atij nuk i lejohet qasja aty dhe shumë shpejt përmes kompanive të mirëmbajtjes, të cilat i kemi të angazhuara në autostradë, do t’i bëhet mbyllja e qasjes në autostradë për këtë kompani”, thotë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Por ndryshe nga zv/ministri që thotë se “për gjithçka që është në kundërshtim me ligjin, do të ndërmerren masat që të mos mund të zbatohet”, Arifi refuzon të pranojë se bën shkelje.

“Asnjë veprim i ERC Trade nuk ka qenë e as nuk është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Kjo është e tëra çfarë kam për të thënë për këtë çështje”, thotë ai.

Se i njëjti nuk ka respektuar ligjin edhe pas më shumë se një viti pasi iu ndalua të vazhdojë të punojë njëjtë, e thonë edhe nga Policia e Kosovës.

Në deklaratën e PK-së dhënë për Shqip, thuhet se njësitet e policisë kishin hasur sërish parregullësi gjatë qarkullimeve pas më tepër se një viti pasi iu ndalua me ligj.

Dokumentarin e plotë mund ta ndiqni këtu: