Kulturë

ATSH dhe Muzeu “Marubi” ekspozitë me dëshmi unike nëpërmjet 150 portreteve

Musine Kokalari, Lef Nosi apo At Anton Harapi, janë vetëm disa nga emrat mes 150 profileve të cilët shfaqen në një ekspozitë sa të rrallë aq edhe të ndjeshme dhe ku secili prej tyre mbart një histori për të treguar dhe rrëfyer.

Ekspozita “Gjyqet” e hapur mbrëmjen e së premtes në Shkodër, u mundësua nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe vjen si një hulumtim nga kuratorët Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi.

Imazhet fotografike të arkivës së pasur të ATSH-së, i përkasin periudhës politike të viteve 1945-1961, kohë në të cilën regjimi i asaj kohe shfaqi qëndrimin e saj agresiv e kërcënues ndaj personave që kishin një qëndrim ndryshe.

E cilësuar si një gjyq i fotografisë së gjyqeve, me profile që flasin më shumë se një mijë fjalë, figura publike dhe njerëz të pafajshëm të cilët u cilësuan “armiq të popullit” dhe “kriminelë lufte”, ekspozita nxjerr në pah dhe mundohet të flasë jo vetëm për historikun e një periudhe të caktuar, me gjyqe speciale që nuk vërtetoi asnjë krim, por dënoi, pushkatoi dhe burgosi qindra persona, por dëshmon edhe peshën e fotografisë në atë periudhë.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni u shpreh se arkivi i ATSH-së në të vërtetë është një ndër arkivët më të mëdhenj të Shqipërisë.

“Hulumtimi i këtij arkivi na ka marrë një kohë relativisht të gjatë. Thuajse 6 muaj kemi punuar për të hulumtuar imazhet të cilat të shkrepura në një kontekst të caktuar kohor përbën edhe boshtin kryesor të propagandës së asaj kohe”, tha ai.

Referuar këtij hulumtimi në arkivën e ATSH-së, Bedeni tha se “ndaluam në atë që ka marrë edhe titullin kjo ekspozita e cila është titulli i një prej albumeve që disponon vetë arkivi, i ATSH-së, “Gjyqi”, album në të cilin ndodhen një sërë gjyqesh”.

“Dhe kjo ekspozitë nuk duhet të shikohet si një ngjarje ngushtësisht dhe domosdoshmërisht e lidhur me memorien, por me këndvështrimin e imazhit në momente të caktuara kohore dhe nëse këto imazhe në vitet ‘40 apo deri në vitit ‘90 ku dhe janë publikuar, kanë pasur një tjetër vështrim dhe sot ato kanë një tjetër. Ekspozita ka edhe aspektin kinematografik pasi disa nga imazhet e publikuara janë procese të cilat janë zhvilluara në disa kinema të vendit”, nënvizoi Bedeni.

Ai shtoi se në secilin prej mureve është vendosur emri i kinemasë ku janë zhvilluar disa prej proceseve më të njohura gjatë diktaturës.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa vuri në dukje rëndësinë që mbart arkiva e këtij institucioni të vetëm mediatik zyrtar e cila ofron dëshmi unike të së shkuarës.

Ajo u shpreh se arkivat tregojnë historinë e një kombi dhe rrisin ndjenjën tonë të identitetit dhe të kuptuarit të kulturës, shoqërisë dhe mbi të gjitha, të veprimeve njerëzore.

“Arkivat janë dëshmitarë të së shkuarës. Ato ofrojnë prova, shpjegime, duke hedhur dritë për çfarë ka ndodhur. Pikërisht këtë dritë mëton të sjellë kjo ekspozitë, e cila përmes seancave të gjata e të pamëshirshme të gjyqeve na ofron atë që kuratorët e kane cilësuar si “një gjyq të fotografisë së gjyqeve””, u shpreh ajo.

Zhupa nënvizoi se “është bërë një punë e gjatë kërkimore në arkivin e ATSH-se, duke u qëmtuar çdo foto e dëshmi të periudhës politike 1945 – 1961”.

Ajo solli në vëmendje vlerën e jashtëzakonshme që mbart arkiva e ATSH-së dhe përpjekjet për ta sjellë atë sa më pranë publikut.

“Kjo ekspozite është e një rëndësie të veçantë për ne, pasi përmes saj publiku do të njohë çfarë e bën kaq unike arkivën tonë në të cilën gjen rrënjët e së mirës dhe së keqes”, tha drejtoresha e ATSH-së.

Zhupa vuri në dukje se “si agjencia më e vjetër e lajmeve në Shqipëri, arkivi i ATSH ka mbi 250 mijë foto që datojnë nga themelimi i saj, në vitin 1920, një kohë kur e quanin “Pallati i Lajmeve”. Të mos harrojmë që aktiviteti i saj mediatik artikulohej ndjeshëm edhe përmes shërbimeve fotografike, të cilat pasqyronin veprimtaritë e ndryshme që zhvilloheshin kudo në vend. ATSH posedon gjithashtu mijëra buletine në kopje fizike që prej vitit 1945, të aksesueshme edhe për publikun”.

“Arkivat janë regjistrime unike, të njëkohshme dhe nëse humbin nuk mundet të zëvendësohen. Vetëm nëpërmjet identifikimit të duhur, kujdesit dhe aksesit, arkivat mund të vihen plotësisht në dobi të shoqërisë. E nëse menaxhohen si duhet, ato mbeten mjetet me të cilat një vend mund të kuptojë se kush, kur, ku, dhe si e kaluara i ka lënë vendin të së tashmes”, përfundoi drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa.

Kuratori i ekspozitës Zef Paci tha se “duke qenë të joshur të prej cilësisë së fotografisë si një gjurmë dëshmitare që na bjen drita te terrina prej një kohe të caktuar, dhe duke dashur me besu si një kujtesë të paanshëm, u zhytëm në tiparet e njerëzore”.

“Në këto gjyqe, këto njerëz luanin jetën dhe vdekjen e tyre, por ajo që na bënte përshtypje këto njerëz me gjestikulacionet e tyre nga e njëjta pikëpamje, nuk pozojnë, por mundohen me rezistu, me u mbrojt. Vendi ku realizohet është një vend i fiksionit, në kinema”, tha ai.

Paci tha se këto foto bardh e zi janë formati i marrë nga arkiva e ATSH-së pa u ndryshuar dhe sot po këto imazhe shfaqen.

“Gjithë këto gjestikulacione ndodhin brenda të njëjtit kontekst, ku gjenden elemente arkitektonike të kinemave ku luhet ky spektakël ankthi”, përfundoi kuratori Paci.

Ekspozita elaboron disa nga momentet më kryesore të gjyqeve të gjata të regjimit diktatorial, si ajo në Kinema “Kosova” në Tiranë ku u dha dënimi pa vërtetuar asnjë krim për 54 persona duke dënuar 17 vetë me pushkatim, 8 vetë me burgim të përjetshëm, 10 vetë me 30 vjet burg, 3 vetë me 20 vjet burg, 5 prej tyre me 5 vjet burg, 2 persona me 3 vjet burg dhe 3 vetë me 2 vjet burg. Nga ky gjyq, vetëm dy persona u shpallën të pafajshëm.

Ndërsa procesi gjyqësor ndaj ish-regjentëve At Anton Harapi e Lef Nosi dhe ish-kryeministrit Maliq Bushati u zhvillua në Kinema Kosova në Tiranë dhe vendimi u dha më 14 shkurt 1946. U gjykuan në një shkallë nga Gjykata e Lartë Ushtarake dhe prokurori kërkoi dënimin e tyre me vdekje.

Në Kinema “Rozafat” në Shkodër u zhvillua procesi kundër 39 të pandehurve të organizatës “Bashkimi Shqiptar” dhe u gjykua nga Këshilli Gjyqësor Ushtarak i Qarkut Shkodër. Mes të arrestuarve që më pas u dënuan me pushkatim, ishin edhe intelektualët dhe klerikët katolikë mes tyre At Giovanni Fausti, At Danjel Dajani dhe At Gjon Shllaku.

Në Kinema “Nacional” në Tiranë u zhvillua në 1946 procesi kundër opozitës së rreshtuar në Koalicionin Demokratik  kundër 37 të pandehurve.

Në vitin 1947 në Kinema “Nacional” në Tiranë u zhvillua procesi i njohur si “Gjyqi i deputetëve”, Përveç deputetëve të zgjedhur të Legjislacionit të Parë, u dënuan dhe u ekzekutuan edhe persona të tjerë që u përfshinë në këtë gjyq.

Ndërsa në Kinema “Tomorri” në Tiranë, u mbajt në vitin 1961 procesi kundër 10 të pandehurve të “grupit çam” ku u vendos dënim me vdekje.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 24 mars 2024.

/Shqip.com