Sport Shqiptar

Atletët e klubit Llapi në disavantazh për shkak të kushteve

Atletët - duke stërvitur

Kushtet aspak adekuate dhe moti i ftohtë, nuk i ndalojnë atletët e klubit Llapi të stërviten.

Me gjithë vullnetin, për kampionin e Kosovës në kërcim në gjatësi dhe tre hapësh për Junior, Mentor Shala, kushtet tregon se po i krijojnë disavantazh karshi konkurrentëve.

 “Tani që është koha e ftoftë është shumë e vështirë. Pavarësisht kësaj vullneti i madh dhe dëshira është që të dalim të ushtrojmë çdo ditë. Por, kjo në paraqitje ndikon për të keq, pasi nëse ki një vend të përshtatshëm je më aktiv, mundesh edhe të punosh më shumë dhe rezultatet përmisohen”.

Për t’ju shmangur kushteve të natyrës, ndonjëherë ata gjejnë strehë në sallën e sportit të një shkolle.

 “Ushtrimet zakonisht i përfundojmë në sallën e Shkollës së Mesme Teknike në Podujevë, por që është shumë e vështirë, pasi nuk kemi vend tjetër, duhet me t’i zhvillojmë këtu”.

Por, edhe kjo sallë nuk i plotëson nevojat.

Florentina Restelica, e cila është edhe kampione e Kosovës në 400 metra për vitin 2021, për Shqip.com ka treguar disa nga vështirësitë me të cilat përballet.

“Në Parkun e Pishave kemi vështirësi kur ka shi ose borë dhe mund të bëhet shumë lagështi dhe nuk mundemi të vrapojmë, pra detyrohemi të anulojmë stërvitjet. Ndërsa në salla është vendi i ngushtë, i vogël për të ushtruar”.

Trajneri i klubit të atletikës Llapi në Podujevë, Lumbardh Shala, për Shqip.com ka treguar se kushtet e tilla mund të qojnë edhe deri tek lëndimet e lojtarëve.

“Për t’i bërë ushtrimet duhet ta kishim stadiumin e Atletikës, jo të ushtrojmë në këto rrethana, pasi është shumë e vështirë me bë stërvitje në këto rrethana dhe realisht ka raste edhe kur sportistët dëmtohen për shkak të kushteve të vështira, kur mbajmë stërvitje në rrugë apo livadhe të ndryshme. Por edhe këtu në sallë nuk janë kushtet e duhura, kështu që do të ishte mirë të kishim një stadium të atletikës ku mund të zhvillonim stërvitje profesionale”.

Pavarësisht kushteve, disa atletë të këtij klubi kanë përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Restelica ishte njëra nga atletët e cila theu një barrierë të rëndësishme për Kosovën, duke marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik U-20 që u mbajt në Serbi./Shqip.com