Lajme

ATK me mbikëqyrje të rreptë në sektorin e Gastronomisë – sa nga këngëtarët po paguajnë detyrimet?

Klubet e natës

Fitojnë para të majme, por numër shumë i vogël i këngëtarëve po paguajnë obligimet ndaj shtetit.

Megjithëse numri i tyre është i madh, janë vetëm 15 këngëtarë që figurojnë të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës si tatimpagues.

Nga ky numër, vetëm 2 prej tyre kanë paguar tatimet në vlerë të 800 eurove.

Situatë më e mirë nuk është as në kategoritë e tjera.

Nga 598 tatim pagues nga kategoria e argëtimit dhe rekreacionit sa ishin deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm 278 persona kanë paguar detyrimet e tyre.

Derisa nga 320 persona që kanë paguar tatimin, ATK ka përfituar rreth 423 mijë e 720 euro.

Në kategorinë “Aktivitetet mbështetëse për shfaqje artistike” nga gjithsej 26 deklarues, vetëm 11 kanë paguar detyrimet në vlerë prej 4 mijë e 388 euro.

Në kategorinë “Krijimtaria artistike” janë të regjistruar 421 persona, por vetëm 205 kanë kryer obligimet tatimore në vlerë prej 278 mijë e 792 euro.

Ndërsa, nga 22 këngëtarë dhe muzicientë të regjistruar, vetëm tre nga ta kanë paguar në ATK.

Në një përgjigje për Shqip.com, ATK ka treguar problemet me të cilat po përballet për të mbledhur tatimet kategorive të mësipërme.

“Ndër problemet më specifike, të dala nga sistemet dhe modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, të cilat kanë kontribuar në këtë përzgjedhje të trajtimit të kësaj industrie janë: pagesa përgjithësisht të ulëta, me një kontribut të vogël në të hyra, pavarësisht numrit të madh të tyre; mos-deklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mos-deklarimi apo nën-deklarimi i ahengjeve dhe mos-mbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; mos-lëshimi i kuponëve fiskal; pagesat po ashtu në Cash të realizuara në mes të konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mos mbajtja e tatimit në qira apo nën-deklarimi i saj”, kanë thënë nga ATK.

Me nisjen e sezonit të ahengjeve dhe organizimeve tjera, ATK ka paralajmëruar kontrolle të shtuara në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë.

Ky veprim është mbështetur nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.

Këngëtari Afrim Muqiqi, që është pjesë e kësaj shoqate ka bërë thirrje që të gjithë këngëtarët të deklarojnë fitimet e tyre.

“Vendim i ATK-së është shumë i qëlluar, pse mos të bëhet deklarimi. Ne edhe ashtu e kemi bërë deklarimin, ata janë mburrur vitin e kaluar me deklarimin e këngëtarëve edhe pse nuk na kanë lanë me punu. Jan inkasu mjetë të jashtëzakonshme, ku gastronomia dhe estrada kanë dhënë mbi 700 mijë euro”, tha ai.

ATK ditë më parë ka kërkuar nga secili tatimpagues nga çfarëdo aktiviteti ekonomik që zhvillon, që t’i kryej obligimet tatimore sipas ligjit në fuqi./SHQIP.com