Ekonomi Biznes

ATK-ja nis inspektimin e aktiviteteve ekonomike

Administrata Tatimore e Kosovës
Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka hartuar Planin Operativ të Veprimit, i cili ka në fokus inspektimin e aktiviteteve ekonomike që zhvillohen nga ana e tatimpaguesve, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit, ky plan i veprimit përfshin periudhën Korrik – Shtator 2021, “periudhë kjo e cila kërkon aktivitete më të intensive me qëllim të trajtimit të sektorëve që janë vlerësuar me shkallë të lartë të rrezikshmërisë, e të cilët gjatë kësaj periudhe po ashtu kanë aktivitet më të shtuar ekonomik”.

“Në fokus të aktiviteteve do të jenë ato biznese, për të cilat përmes shumë indikatorëve të riskut dalin në pah deklarimet e tyre jo të sakta. Andaj, duke e implementuar planin operativ të veprimit do të bëhet verifikimi – korrigjimi i deklarimeve të tyre kundrejt qarkullimit / fitimit të realizuar. Në mënyrë që ky plan të përfshij të gjitha grupet e synuara, inspektorët tatimor do të zhvillojnë aktivitete brenda dhe jashtë orarit zyrtar të punës, duke përfshirë dhe vikendet”, thuhet në komunikatën për media.

Aktivitetet e ATK-së me këtë plan do të orientohen në veprimet specifike, si:

  • Identifikimi i bizneseve dhe personave fizik të cilët përmes dokumentacionit jo të saktë ju shmangen detyrimeve tatimore.
  • Identifikimi dhe fiskalizimi i bizneseve të cilat nuk janë pajisur me arka fiskale si dhe ndërmarrjen e masave ndaj bizneseve të cilat janë pajisur me arka fiskale por nuk lëshojnë kuponë fiskal.
  • Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve dhe personave fizik të cilët bëjnë nën deklarim të shitjeve (të ardhurave) si dhe nën deklarim të numrit të punonjësve dhe pagave.
  • Identifikimi i mos deklaruesve, ndalim deklaruesve si dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera ligjore me qëllim që tatimpaguesit të bëjnë deklarimet e tyre saktë dhe brenda afateve kohore.

“Me zbatimin e standardeve profesionale, synojmë do të arrijmë rezultate dhe efekte si në trajtimin e drejt të të gjithë tatimpaguesve, po ashtu edhe në ngritjen e performancës tonë, si zyrtarë të një administrate profesionale, transparente dhe efektive”, përfundon komunikata./Shqip.com