Lajme

ATK-ja me njoftim për tatimpaguesit që kanë gjoba

Administrata Tatimore e Kosovës
Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga 1 shkurti i këtij viti, tatimpaguesit të cilët janë gjobitur kanë mundësi t’i paguajnë ato me zbritje nga pagesa e tërësishme e shumës së gjobës.

Kjo pasi, ATK-ja ka aprovuar Rregulloren e brendshme mbi Përcaktimin e procedurave për funksionimin e Njësive organizative për Gjoba dhe Ndëshkime (ZGjoNA).

“Ndër të tjerash, me këtë Rregullore janë përcaktuar edhe procedurat pas vendimmarrjes nga ZGjoNA”, thuhet në njoftimin për media.

“Bazuar në këtë Rregullore, tatimpaguesit ndaj të cilëve ZGjoNA shqipton gjoba fikse për shkelje të legjislacionit tatimor, kanë mundësinë që të përfitojnë zbritje nga pagesa e tërësishme e shumës së gjobës”.

Në rast se tatimpaguesi paguan gjobën e shqiptuar brenda afatit prej 15 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të Vendimit nga ZGjoNA, tatimpaguesi lirohet nga pagesa e 50 për qind të shumës së gjobës së shqiptuar dhe rasti konsiderohet i mbyllur.

“Tatimpaguesi i cili nuk paguan gjobën prej pesëdhjetë përqind (50%) brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh, obligohet të paguaj gjobën prej njëqind përqind (100%) të shumës së përcaktuar me Vendim nga ZGjoNA”.

“Të drejtën për të përfituar nga pagesa e gjobës vetëm prej pesëdhjetë përqind (50%) e kanë të gjithë tatimpaguesit, duke filluar nga data 01.02.2022”, përfundon njoftimi i ATK-së./SHQIP.com