Lajme

Atiq pas betimit: Do të punoj pa dallim dhe diskriminim

Erden Atiq - Kryetar i Mitrovicës së Veriut

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, pas betimit ka thënë se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.

Atiq, mes tjerash, tha se bashkë me ekipin e tij synim ka normalizimin e gjendjes në këtë komunë të veriut.

“Si kryetar bashkë me ekipin bëjë të ditur se do të punojmë bashkë me të gjithë qytetarët e komunës së Mitrovicës së Veriut pa dallim dhe pa diskriminim.

“Angazhimin më të madh do ta bëjmë për të normalizuar këtë pjesë të komunës dhe i bëjë ftesë të gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të na takojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e tyre” u shpreh Atiq.

Erden Atiq është betuar si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut, pas fitores në zgjedhjet e 23 prillit.

Paraprakisht, kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Nexhat Ugljani, kur ka hapur seancën ka konfirmuar se janë plotësuar të gjitha kushtet për procedurën e betimit.

Atiq u shoqërua nga një numër i madh i forcave të sigurisë jashtë dhe brenda objektit të komunës që do të udhëheq.

Kjo ka bërë që policia të “blindojë” objektin e komunës teksa ka bllokuar edhe të gjitha rrugët dytësore që shpien tek ndërtesa e komunës.

Kujtojmë se, në zgjedhjet e 23 prillit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq ka marrë 66.9% të votave.

Pjesëmarrës në betimin e tij ishin edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

/Shqip.com