Lajme

Atentati ndaj Thaçit, Salihu: Informacioni më ka ardhur në gjysmë të natës

Eroll Salihu

Eroll Salihu ishte Sekretar Gjeneral i FFK-së në kohën kur po zhvillohej ndeshja Kosova – Haiti në vitin 2014.

Ai ka konfirmuar se ka pasur informacion sekret rreth një atentati të mundshëm ndaj ish-keyeministrit Hashim Thaçi.

Ish-kryeministri Hashim Thaçi në ndeshjen Kosova – Haiti

I pyetur nga Shqip.com, ai ka treguar detajet se si u informua një natë para ndeshjes nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

“Kam pasë informacion dikur vonë në gjysmë të natës por ka qenë konfidenciale. Jo për vrasje, është ditë që për diçka me pasë kujdes. Ka qenë informacion shumë, shumë sekret”, u shpreh ai.

“Mesazhi më ka ardhur mua personalisht dhe më kanë thanë mos me folë”, tha Salihu për Shqip.com.

I pyetur se nga kush sakësisht i ka ardhur ky informacion, Salihu tha se nuk e dinte.

“Nuk e di, prej personave të inteligjencës”, shtoi ai.

Kosova – Haiti

Salihu u pyet po ashtu nëse Federata kishte kërkuar sigurim shtesë në ndeshje.

“Po, po sepse jemi treguar që mund të gjuaj dikush me diçka nga pjesa tjetër (e stadiumit)”, u shpreh ai.

Ndërsa mbrëmë, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj kishte thënë se në po këtë ndeshje ishte tentuar vrasja e Hashim Thaçit.

Ai tha ishte punësuar një snajper nga forcat elitare serbe dhe i cili pastaj, ishte arrestuar po nga Serbia pas mesazhit që institucionet e Kosovës së bashku me partnerët i kishin dërguar Beogradit zytëtar.

Përndryshe, Eroll Salihu është aktualisht Kryetar i Arbitrazhit Sportiv të Kosovës, në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës. /Shqip.com