Lajme

Asociacioni i Komunave: Nëse nuk ekzekutohen pagat deri me 5 shtator do të ndërmarrim hapa tjerë ligjorë

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Mosekzekutimi i pagave për punonjësit që janë në grevë është duke e shqetësuar Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i këtij asociacionit, Sazan Ibrahimi për SHQIP.com duke pohuar se punëdhënësit e kanë obligim ta kryen pagesën deri me datën 5 të muajit.

Ai ka thënë se nëse një gjë e tillë nuk ndodhë do të merren hapa tjerë ligjorë.

“Deri me 5 shtator e kanë obligim që me u ekzekutua pagat. Nëse nuk ndodhe kjo deri me këtë afat, ne do të mblidhemi me kryetarët e komunave dhe do të diskutojmë për rrugët tjera ligjore që do të marrim”.

Ai ka thënë se ka mos koordinim në mes të nivelin qendror dhe lokal dhe për këtë janë duke pësuar keq.

“Ne si komuna vetëm jemi duke pësuar nga kjo situatë, dmth tash do të ishte anomali nëse kryetarët e komunave nuk do të reagonin kur punonjësit e tyre nuk i marrin pagat, apo i marrin ato në mënyre selektive. Ky ka qenë shqetësimi që është ngritur dje dhe është kërkuar që të këtë një dialog të sinqertë më nivelin qendrore dhe sindikatat në mënyrë që të mos pësojnë qytetarët. Dmth komunat janë duke u dëmtuar nga ky mosbashkëpunim  dhe ky është problemi”, tha ai për SHQIP.com.

Ai ka thënë se ka presion nga niveli qendror sa i përket listës së punëtoreve që janë në greva.

“Shumica absolute e komunave janë në grevë dhe nuk ka kush ti dorëzojë ato lista”.

Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

“Sa i përket ekzekutimit të pagave, sot është bërë vetëm pjesërisht, pra vetëm një pjesë e organizatave buxhetore është arritur të bëhet ekzekutimi i pagave, për shkak siç e dini procesimi dhe përgatitja e llogaritjes së listës së pagave merr kohe dhe zakonisht ky proces fillon në mes të muajit, kur organizatat buxhetore i dorëzojnë listat e personelit që duhet paguar dhe pastaj kjo procesohet dhe bëhen llogaritjet e nevojshme që të dërgohen në Bankën Qendrore dhe në llogaritë bankare të përfituesve”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës./SHQIP.com

Shqip.com
Çmimet e derivateve në Kosovë Çmimi maksimal i lejuar për secilin produkt të naftës.
  • Dizel: 1.61
  • Benzine: 1.34
  • Gas: 0.76
Sot : 30/09/2022