Lajme

Asociacioni i Komunave kërkon heqjen e orës policore: Nuk është duke dhënë asnjë rezultat

Ilustrim.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka deklaruar se ora policore si masë anti-COVID’19 nuk është duke dhënë rezultat.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi në një prononcim për Shqip.com thotë se ora policore nuk është një zgjidhje dhe se nuk është duke dhënë një rezultat qysh kur kanë qenë rastet e pakta të COVID-19.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Orë policore ka pas edhe kur kanë qenë 3-4 raste me Covid-19 e njëjtë po vazhdon edhe me 3-4 mijë rast që janë tani. Kjo po kupton se ora policore nuk është ndonjë zgjidhje dhe nuk ka ndonjë argument shkencor që ka konkluduar se ora policore është për mbrojtjen ndaj COVID-19”, ka thënë Ibrahimi.

Tutje, Ibrahimi vaksinimin anti-COVID’19 e sheh si armë të vetme për mbrojtjen ndaj COVID-19.

“Vaksinimi është i vetmi mjet që është konkluduar nga aspekti shkencor e që është armë që parandalon përhapjen e COVID-19”, shtoi ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë vendosur me 21 janar 2022 si masë kufizuese qarkullimin nga ora 22:00 deri në ora 05:00, masë kjo e cila është në fuqi deri me datën 4 shkurt 2022./SHQIP.com