Lajme Ballkan

Asnjë i interesuar në konkurse për punë në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut.

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, afaristët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që të rriten kuotat, si dhe të thjeshtësohen procedurat për sigurimin e punëtorëve nga jashtë vendit. Sipas tyre, kohën e fundit ndodh që në shpalljet për punë të mos paraqitet as edhe një i interesuar.

“Nuk paraqitet askush në konkurs, madje as që pyesin se cila është paga. Thjesht, nuk ka të interesuar, mbase për të rinjtë puna në Maqedoninë e Veriut më nuk duket me interes”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vlladanka Trajanovska, kryetare e Organizatës së punëdhënësve.

Të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut tregojnë se në vend ka 109.249 të papunë të moshës 15 e më shumë. Prej tyre thuajse 80% janë me arsim fillor dhe të mesëm.

Pjesa më e madhe e të papunëve me arsim të mesëm, më shumë se 14.000 ose 26% jetojnë në rajonin e Shkupit, mbi 9.000 ose 17% në rajonin e Pollogut dhe mbi 7.000 apo 14% në rajonin Verilindor, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ky trend i ikjes ka kapluar edhe shtetin e Shqipërisë. Në Shqipëri largimi i fuqisë punëtore është rritur e kjo po paraqet shqetësim për ekonominë e vendit.

Rreth 1.2% e popullsisë është larguar çdo vit kohët e fundit dhe ekspertët shprehin shqetësim, pasi 80% e tyre janë të moshës më aktive për punë 15-44 vjeç

Në zyrat e punës në 6 muajt e parë të këtij viti ishin të regjistruar 13 mijë kërkesa për punë nga 20 mijë vende të lira, ndërsa u ndërmjetësuan 12 mijë.

Ekspertët mendojnë se edhe tre krizat e njëpasnjëshme tërmeti, pandemia e Covid-19 dhe agresioni rus në Ukrainë, kanë pasur ndikimin e tyre.

Në Kosovë, më shumë se 20 mijë biznese llogariten se janë mbyllur nga viti 2020 deri në 2021-ën, shkaku i pandemisë Covid-19, ndërsa më shumë se 15 mijë punëtorë mbetën pa punë.

Një muaj më parë në Kosovë, Qeveria e Kosovës kishte shpërndarë 100 euro shtesë për punëtorët e sektorit privat.

Po ashtu punëtorët e sektorit privat në Kosovë po kërkojnë që paga minimale të mos jetë nën 500 euro.

Kështu është shprehur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili tha se duke marrë parasysh situatën aktuale që po mbretëron në vend, nuk ia vlen as të bisedohet për pagë minimale nën 500 euro./Shqip.com