Lajme

ASK publikon të hyrat dhe shpenzimet milionëshe të Qeverisë së Kosovës

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) së fundmi ka publikuar llogaritë qeveritare për periudhën 2015-2021.

Sipas ASK-së, të hyrat e Qeverisë për vitin 2021 ishin 2.484.6 milionë euro.

“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 67% të totalit të të hyrave, tatimet rrjedhëse në të ardhura 13%, aktivet dhe detyrimet financiare 11%, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori tjera të të hyrave”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Të hyrat

Kurse, shpenzimet e Qeverisë në vitin 2021 ishin 2,376.4 milionë euro.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve 27%, kontributet sociale dhe përfitimet 26%, konsumi i ndërmjetëm 14%, formimi i kapitalit bruto 13%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategoritë tjera të shpenzimeve”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Shpenzimet

ASK thekson se ky publikim është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).

Publikimin e plotë nga ASK mund ta gjeni KËTU /Shqip.com