Ekonomi

ASK: Ngritën çmimet prapë në tremujorin e dytë në sektorin e ndërtimit

Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë ka pasur ngritje për 2.2% në tremujorin e dytë të këtij viti.

Ngritjet më të mëdha sipas raportit janë në transport dhe makineri.

“Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati ngritje për 2.2% në tremujorin e dytë  (TM2) 2022, krahasuar me tremujorin e parë (TM1) 2022. Ngritje më të mëdha kishte te: transporti (13.1%); kostot e tjera (4.7%); makineritë (4.0%); materialet (1.7%); pagat (1.4%); dhe energjia (0.6%)”.

Ndërkaq, krahasuar TM2 2022 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM2 2021), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati ngritje për 19.8%.

Ngritja  e indeksit kryesisht u vërejt te: transporti (35.5%); materialet (22.0%); energjia (15.6%); kostot e tjera (12.6%); makineritë (12.2%); dhe pagat (9.1%)./SHQIP.com