Lajme

Asgjësohen 1,664 fidanë narkotikë cannabis sativa në Mirditë

Janë asgjësuar 1,664 fidanë narkotikë cannabis sativa të cilat u gjetën në kubikë gati për kultivim, në fshatin Xhuxhë të Mirditës.

Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit janë arrestuar dy autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

“Në kuadër të fazës së 18-të të këtij megaoperacioni, gjatë kontrolleve në zonën e quajtur “Bjeshkët e Xhuxhës”, njësia administrative Fan, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, gjetën në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, 1664 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies. Falë veprime të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve B. H., 55 vjeç, banues në Kurbin dhe I. C. 32 vjeç, banues në Krujë, të dyshuar si autorë të  kultivimit të fidanëve në kubikë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim strukturat hetimore vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të kultivimit të fidanëve dhe bimëve të asgjësuara nga policia gjatë fazave të zhvilluara më parë të këtij megaoperacioni policor.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga struktura hetimore e Komisariatit të Policisë Lezhë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit A. K., 39 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është autor i kultivimit të 233 bimëve narkotike që u gjetën në malin e Shëngjinit dhe u asgjësuan në kuadër të fazës së 8-të të  megaoperacionit, fazë e cila është zhvilluar më datë 31 maj 2023”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

/Shqip.com