Lajme

“Asgjë nuk ka ndodhur siç e thotë prokurori” – Krivaqa dhe Sejdiu mohojnë pretendimet e prokurorisë

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, janë deklaruar të pafajshëm.

Këtë deklarim, dy të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Valdet Avdiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më vjen keq, i shprehi ngushëllime familjes, sigurisht që familjes tem i vjen shumë keq. Ajo që thotë prokurori nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston. S’ka të bëjë me atë që e thotë prokurori”, tha Krivaqa.

Kurse, Sejdiu u deklaru shkurt “Nuk e pranoj fajësinë”.

Shqyrtimi po vazhdon me fjalën hyrëse të palëve në procedurë.

Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022,  ka marrë  aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

Kurse, më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

/Shqip.com