Lajme

Asamblistja e Prishtinës rikthehet sërish në LVV

Berna Saraçi është sërish asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Këtë e ka bërë të ditur shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

Vetëm më pak se një muaj më herët, Saraçi kaloi nga VV-ja në Partinë Demokratike të Kosovës. Tash është kthyer sërish nga ku u largua më 21 qershor.

“Na 3 asamblistët, sonte, në takim me Kryeministrin. Vazhdojmë rrugëtimin bashkë me Bernën”, ka shkruar Sveçla në Facebook, si përshkrim të fotos ku shihet me asamblistët Saraçi dhe Arianit Beqiri, dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Ndryshe, Donjeta Sahatçiu, nënkryetare e Komunës së Prishtinës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan se, Berna ka vendosur të kthehet si asambleiste e LVV-së për të përmbyllur mandatin e saj në grupin ku ishte deri më 21 qershor

“Më 21 qershor ndava njoftimin se Berna Saraçi na u bashkua për Prishtinën. Më 27 qershor, në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal, zyrtarizuam kalimin e saj si asambleiste në grupin e PDK me arsyetimin e elaboruar në fjalimin e saj”, shkruan ajo.

Tutje, Sahatçiu ka thënë se, sonte Berna ka vendosur të kthehet si asambleiste e LVV-së për të përmbyllur mandatin e saj në grupin ku ishte deri më 21 qershor. Bashkë me grupin e PDK në Prishtinë, Bernës i dëshirojmë rrugëtim të qetë dhe të mbarë në vazhdimësi.

/Shqip.com