Lajme

Asamblisti i Vetëvendosjes arrestohet në Shqipëri, dyshohet për trafikim të narkotikëve

Drejtoria e Policisë në Tiranë ka bërë të ditur se pas një aksioni policor të koduar “Punisher 2” ka arrestuar pesë persona, dy prej tyre shtetas të Kosovës.

Kosovarët që janë kapur nga Policia e Shqipërisë si të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike nga Kosova për në Shqipëri janë Mithat Ramadani 30 vjeç dhe Besnik Mujeci 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë.

Besnik Mujeci është zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe asamblist i partisë që drejton kryeministri Albin Kurti në Komunën e Prishtinës.

Të arrestuar janë edhe Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdija, të tre banues në Tiranë.

Personat e dyshuar janë arrestuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

 Njoftimi i plotë i Policisë së Shqipërisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj në konferencë për shtyp në lidhje me finalizimin me sukses pas një hetimi disamujor të operacionit policor të koduar “PUNISHER 2”.

Përshëndetje,

Jam sot këtu së bashku me Zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Zëvendësdrejtorin për Sigurinë Publike dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, për të bërë prezente rezultatet e operacionit të koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u godit një grup që trafikonte nga Kosova në Shqipëri dhe shpërndante lëndë narkotike ekstazi MDMA.

Në janar të këtij viti, është finalizuar operacioni policor i koduar “PUNISHER”, në kuadër të cilit u godit një grup shpërndarësish të drogave sintetike, u arrestuan 3 shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër, si dhe u sekuestruan 1007 tableta ekstazi MDMA.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në vijim të veprimeve të thelluara në drejtim të hetimit të furnitorëve për grupin e arrestuar në janar, kanë rënë në gjurmët e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike, nga Kosova në Shqipëri.

Pas një hetimi disamujor me metoda speciale të hetimit, nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi që përbëhej nga 5 persona.

Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:

Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe

Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë.

Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.

Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së drogave të lehta dhe të forta.

Dëshiroj të falenderoj publikisht drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë z. Arenc Çela dhe prokurorin e çështjes z. Ndini Tavani, për drejtimin me profesionalizëm dhe vendosmëri të këtij hetimi.

Sigurojmë qytetarët se strukturat e Policisë që operojnë në qarkun e Tiranës së fundmi edhe në territorin e Bashkisë Krujës po vijojnë me përkushtim luftën e pandërprerë kundër çdo paligjshmërie dhe në këtë kuadër ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me strukturat policore me qëllim, krijimin e një ambienti akoma edhe më të sigurtë për qytetarët, vizitorët dhe turistët, e mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve tanë.

/Shqip.com