Lajme

Asambleja/ Rama “përplaset” me deputetin e PS: Pse nuk ke bërë asnjë analizë? Çfarë ke bërë ti?

Zbardhen pjesë të debateve të tjera nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Mësohet se ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka thënë se “Kavaja nuk ka bërë asnjë analizë pas humbjes së zgjedhjeve të 14 majit”, të cilat u fituan nga kandidati i Rithemelimit, Fisnik Qosja.

Në këtë moment ka ndërhyrë kryetari i PS-së, Edi Rama dhe ka kërkuar llogari tek deputeti Etjen Xhafaj, i deleguari për Qarkun e Tiranës në Kavajë.

E vërtetë është? Çfarë ke bërë ti aty? Pse nuk ke bërë asnjë analizë?” ka thënë Rama.

Më pas Etjen Xhafa ka marrë fjalën duke shpjeguar arsyet e mosbërjes së analizës por edhe se çfarë ndodhi në realitet në zgjedhjet e bashkisë Kavajë.

Në qarkun e Tiranës, Kavaja ishte bashkia e vetme që u fitua nga opozita Berisha-Meta, teksa të tjerat si Tirana, Kamza dhe Rrogozhina u fituan nga PS.

Dje u mësua se Rama ka kërkuar nga drejtuesi i PS-së i Qarkut të Tiranës, Erjon Veliajt, dhe Xhafa, të identifikojnë emrat e drejtuesve socialistë në bazë që kanë pasur performancën më të ulët.

Asambleja Kombëtare e PS-së zgjati 5 orë me dyer të mbyllura dhe mes kritikash socialistët miratuan planin e veprimit për një fitore shembullore në 2025.

Asambleja Kombëtare e PS do të rimblidhet në 16 mars në Durrës për të analizuar rezultatet.

/Shqip.com