Lajme

Asambleistja e LVV-së thotë se është kërcënuar dhe shantazuar nga kryetari i Lipjanit

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti

Asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Lipjani, Shahadije Dragacina ka deklaruar se është kërcënuar dhe shantazuar nga kryetari, Imri Ahmeti.

Ajo në një postim në Facebook ka bashkangjitur edhe një video, ku ka thënë se gjatë seancës së të enjtes edhe është bullizuar.

“Qytetarë të dashur të Lipjanit e sidomos ju që e keni votuar, dëgjojeni me vëmendje kryetarin Imri Ahmeti i cili na doli tani të jetë edhe shantazhues e kërcënues së pari ndaj një gruaje dhe nëne së dyti ndaj një qytetare e së treti ndaj një anëtare të Kuvendit Komunal!  Në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal të Lipjanit, Kryeyari i Komunës, Imri Ahmeti më reagon në mënyrë primitive, duke më bullizuar. Në këtë audio ( se Lipjani nuk e transmeton seancën) mund ta dëgjoni se deri ku mund të shkojë.Po ashtu, përpiqej të më intimitonte e shantazhonte se gjoja unë vite më parë pasna aplikuar në një konkurs të Komunës”.

Ajo ka kërkuar nga prokuroria që të merret më rastin dhe të intervistojë Ahmetin.

“Aplikimi në konkurse është e drejtë e qytetarëve, por deklarimi publik i Imri Ahmetit se ky nuk më ka pranu dhe se sa të është ky kurrë nuk do të punësohem, është vepër penale. Për këtë e ftoj prokurorinë t’i marrë regjistrimet e seancës së fundit dhe ta intervistojë atë.

Kjo shpërfaq një kryetar që mundohet ta përdor një të drejtë të secilit qytetarë, atë të punësimit, për të më demotivuar dhe duke u munduar të ma ndaloj kritikën time ndaj punës së tij, ndaj keqmenaxhimit  të tij e të keqpërdorimit të tij. Dhe për më tepër e pranon publikisht që është “Ai” që vendos e ka vendos edhe në të kakuarën se kush duhet të punësohet në Komunë e kush jo, thuajse ky institucion është pronë e tij private, zaten edhe ashtu sillet gjatë gjithë kohës.

Dhe në fund sigurisht që organet kompetente duhet të angazhohen për këtë pjesë që ka elemente të veprës penale, pasi kryetari e pranon publikisht që prej kur ka ardhur në krye të komunës shumë të rinj e të reja e secili qytetar sikurse unë që ka aplikuar për punë vetëm është poshtëruar, malltretuar e çka jo tjetër derisa personi muaj përpara ka qenë i zgjedhur që do të punësohet tashmë, madje emrat kanë dalë prej zyrtarëve të LDK-së, dhe konkurset kanë qenë vetëm sa për ta plotësuar numrin e aplikantëve”, ka shkruar ajo.

Ajo tutje ka akuzuar se Ahmeti është duke kryer vepër penale edhe gjatë konkurseve që shpallë – duke punësuar familjarë të tij.

“Nga krejt kjo përballje e imja në këtë mbledhje me krejt ata burra që lëshonin zëra “shuj aty ti” duhet me kanë tepër karakter i fortë për me i përballur.E kemi thënë vazhdimisht Imri Ahmeti është kryetar komune, i zgjedhur politikisht, ai mund të emërojë veç drejtorët e tij, por jo edhe shërbyesit civil që do të duhej me konkurs. Ne të gjithë e dimë që edhe për punësimin e mirëmbajtësve të shkollave, lista fillimisht shkon të Imriu, dhe zakonisht për të punësuar familjarët e tij e të kabinetit të tij, por me deklarimin publik ai po e konfirmon e po konsumon vepër penale. E ne asambleistët e LVV-së jemi këtu për ta shpërfaqur fytyrën e tij të vërtetë, siç nuk e njohin në publik. E do të vazhdojmë ta shpërfaqim përditë e edhe më shume”.

SHQIP.com është munduar që të marrë një deklaratë nga kryetari Ahmeti – por i njëjti nuk është përgjigjur./SHQIP.com