Artistë nga Evropa kanë paraqitur veprat e tyre në Galerinë Kombëtare të Kosovës
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artistë nga rajoni i Evropës kanë paraqitur veprat e tyre në hapjen e edicionit të dytë të “Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit 2022” në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në ceremoninë e hapjes janë shpërblyer tre artistët më të mirë.
“Çmimin kryesor të Bienales “Grand Prix – Gjelosh Gjokaj” për artistin Agim Salihu e ka ndarë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit 2022 është një traditë e cila begaton jetën kulturore dhe artistike në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, dy çmimet tjera janë ndarë për Ake Bregqvist nga Suedia dhe Nehat Beqiri nga Maqedonia e Veriut.
Pjesë e kësaj ngjarje ishin edhe përfaqësues nga Galeria Kombëtare e Kosovës, Asociacionit të Artistëve Vizuel të Kosovës, dhe përfaqësues të Ambasadës së ShBA-ve dhe të Maqedonisë së Veriut.
Ekspozita dhe katalogu i edicionit të dytë të “Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit 2022” janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërsa do të jetë e hapur për publikun deri më 12 korrik.