Lajme

Arrijnë edhe dy gazetare ukrainase në Kosovë

Sot gjatë mëngjesit të së mërkurës, kanë arritur dy gazetare të Ukrainës në Kosovë.

Liudmyla Troitska dhe Olena Solodovnikova janë pritur nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha së bashku me zyrtaren ligjore të ECPMF-së dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme e Kosovës dhe Policia.

“Kosova i mirëpret gazetaret e radhës ukrainase. Liudmyla Troitska dhe Olena Solodovnikova – janë dy gazetaret e radhës ukrainase që kanë mbërritur sot në Kosovë. Gazetaret janë mirëpritur në aeroport nga kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Troitska dhe Solodovnikova – do të strehohen në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, të iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, gazetarëve që strehohen në Kosovë, iu jepet një shumë e parave për zhvendosje. Ata do të marrin edhe pagë mujore dhe përveç kësaj, do të marrin edhe pagesë shtesë për qira.

Në njoftim thuhet se “kandidatët e suksesshëm do të pajisen me 1000 euro për zhvendosje, pagë mujore prej 500 euro dhe 300 euro për qira. Ata do të kenë akses në një ​​zyrë, në sigurime shëndetësore dhe në kurse gjuhe dhe integrimi”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte kërkuar nga ekzekutivi që të ndajë 150,000 euro për pranimin e tyre.

Shuma prej 150,000 eurosh do të përdoret për të mbuluar shpenzimet për gazetarët ukrainas, për një periudhë 6-mujore.

Së fundmi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në Twitter se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.

“Kosova do të presë 20 gazetarë dhe do t’u sigurojë atyre akomodim dhe hapësirë ​​pune. Jam shumë i kënaqur të shoh që Programi i Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë është tani i hapur dhe ne mezi presim t’i mirëpresim ata që janë pranuar në Kosovë”, shkruan Kurti.

Theksojmë se gazetarët që vijnë në Kosovë do të kenë statusin e individëve të mbrojtur ndërkombëtarisht.

Aktualisht, në Kosovë janë disa gazetarë ukrainas të cilët janë të strehuar dhe zhvillojnë punën e tyre këtu.

/Shqip.com