Arrestohen tre ish-zyrtar të Trafikut Urban për keqpërdorim të detyrës dhe një menaxher i një auto-salloni
Janë arrestuar tre ish-zyrtarë të Trafikut Urban dhe një menaxher i një auto-salloni në Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë arrestuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe përfshirje në konflikt interesi.
“R. B. (ish-Kryesues i Bordit të Drejtorëve të NPL “Trafiku Urban”), L. R. (ish-Kryeshef i NPL “Trafiku Urban”), F. T. (ish-Sekretar në NPL “Trafiku Urban”) dhe V. K. (Menaxher në një auto-sallon), kanë arritur që përmes marrëveshjeve dhe koordinimeve në mes vete, veturën që ka qenë në pronësi të Kryesuesit, ta shesin fillimisht në një auto-sallon dhe pastaj përmes procedurave tenderuese ta blejnë të njëjtin për nevojat e NPL “Trafikut Urban” në vlerë prej disa mijëra euro me shtrenjtë se vlera reale (duke i shkaktuar dëme buxhetit të Ndërmarrjes dhe njëkohësisht përfitime për vete)”, thuhet në njoftim.
Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, hetuesit policor, kanë siguruar dëshmi dhe informacione tjera për personat e dyshuar dhe dëmet e shkaktuara, përmes veprimeve policore me çka dëshmohet dyshimi i kryerjes së veprës penale.
Hetuesit kanë siguruar prezencën e personave të dyshuar të cilët janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës të dyshuarit me iniciale (R.B. dhe L.R.) janë shoqëruar në Polici dhe nga aty me Vendim mbi ndalimin nga Prokurori Kujdestar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërsa të dyshuarit me iniciale (F.T. dhe V.K.) me Vendim të Prokurorit kujdestar lirohen në procedurë të rregullt./Shqip.com