Lajme

Arrestohet polici, dyshohet se kërkoi 800 euro ryshfet për të ia mundësuar marrjen e patentë shoferit një personi

Inspektorati Policor i Kosovës, ka bërë të ditur se është arrestuar një zyrtar policor.

Zyrtari policor dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, ka arrestuar sot në flagrancë një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuarit është kryer nga hetuesit sot në mbrëmje në një lokal në Pejë.

“Bazuar në veprimet hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, zyrtari policor  me qellim që të përfitoj dobi pasurore për vete ose për personin tjetër, ka kërkuar shumën prej 800 € (tetëqind eurove) nga një qytetar që të njëjtit ti siguroj kalimin e provimin për patentë shofer për kategorinë ” B” në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet më tutje në njoftimin e IPK-së.

Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse IPK ka dhënë edhe rekomandimin për suspendimin e tij./Shqip.com