Arrestohet një person për grabitje në një pikë karburanti në Ferizaj

Policia e Kosovës, ka njoftuar se kanë arrestuar një person si të dyshuar për një grabitje e cila kishte ndodhur në një pikë karburanti në Ferizaj gjatë muajit gusht të këtij viti.
Sipas komunikatës së PK-së, personi nën kërcënimin e armës kishte arritur t’i grabiste 2800 euro.
“Me datën 23.08.2022 rreth orës 23:43 Policia Rajonale e Ferizajt, kishte pranuar një informacion se në fshatin Gërlicë të Ferizajt, në një pike karburanti ishte një rast i grabitjes, ku një person me helmet në kokë kishte hyrë aty dhe nën kërcënimin e armës grabit nga dy punëtorët rreth 2800 euro dhe largohet në drejtim të panjohur.”, shkruhet në komunikatën e PK-së.

Sipas Policisë, i dyshuari është një 22 vjeçar me inicialet A.H që në bazë të “provave të mjaftueshme” akuzohet për veprën penale “Grabitja”.
I dyshuari me vendim të Prokurorit të rastit është dërguar në mbajtje për 48 orë./Shqip.com
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë tekst cilësohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga ana e gjykatës.