Arrestohet një person pasi bleu kriptovaluta me kartelat e bankës të klientëve

Një person është arrestuar pasi dyshohet për keqpërdorim të kartelave të bankës apo kreditit të klientëve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari A.S., me dyshimin se ka kryer vepra penale “lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.
A.S, dyshohet se ka vjedhur të dhënat bankare të klientëve përmes të cilave ka kryer blerje.
“Tashmë i arrestuari dyshohet se ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve, të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si përgjegjës i ndërrimit dhe pastaj i njëjti ka blerë kriptovaluta, ku dyshohet se ka fituar mbi 5 mijë euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Me urdhër të prokurorit është sekuestruar një telefon me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, si dhe ndaj të dyshuarit do të vazhdohet me veprimet procedural./Shqip.com