Lajme

Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet se dhunoi një fëmijë në Gjermani

Gjykata Themelore në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh të pandehurit me inicialet L.S. për veprën penale të dhunimit, deri në përfundim të procedurës për lejueshmërinë e ekstradimit.

Sipas njoftimit të gjykatës, INTERPOL ka lëshuar urdhërarrest për arrestimin e të kërkuarit/pandehurit L.S. nga Gjermania, me kërkesë për ekstradimin e tij autoriteteve të Gjermanisë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i kërkuari/pandehuri L.S., në territorin e RF të Gjermanisë ka kryer vepër penale, ‘abuzim seksual i rënduar i një fëmije që përkon me dhunimin’ nga neni 176C par.1.177 nënpar. 1.5 dhe 6.52 i Kodit Penal të Gjermanisë, që është e paraparë edhe në legjislacionin tonë vepra penale e dhunimit nga neni 227 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media.

I kërkuari/pandehuri L.S., është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendimin e datës 29.08.2022 të Gjykatës së Heidelbergut të Gjermanisë.

I njëjti do të mbahet në paraburgim në  kohëzgjatje prej 40 ditë, i cili do të llogaritet nga data 13 mars 2023 dhe do të zgjasë deri më 22 prill 2023.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ilir Rashkaj, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës së konkretizimit të ekstradimit, gjegjësisht marrjes së vendimit për lejueshmërinë e ekstradimit”, thuhet tutje.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

/Shqip.com