Lajme

Arrestohet në Itali Agron Tufa, vrau e groposi 31-vjeçarin në Krujë

Është arrestuar në Itali Agron Tufa, i kërkuar ndërkombëtarisht për vrasjen e 31-vjeçarit dhe groposjen e tij.

Në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.

“Në vijim të punës gjurmuese me qëllim sigurimin e informacioneve për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit siguroi informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë në Bari të Italisë, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar Agron Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krujës, me 30 vjet burgim”, njofton policia shqiptare.

Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

/Shqip.com