Lajme

Arrestohet mashtruesi turk që fshihej në Shqipëri, grabiti miliarda dollarë në kriptomonedha

Pas më shumë se një viti në arrati, është arrestuar shtetasi turk Faruk Fatih Ozer, nga Policia e Elbasanit.

Siç raporton Top Channel, që nga prilli i vitit të kaluar, Turqia kërkoi me insistim nga autoritet shqiptare arrestimin e 28-vjeçarit i cili në vendin e tij kishte ngritur një skemë mashtrimi e cila kapte vlerën rreth 2.7 miliardë dollar.

Nga hetimet rezultoi se Ozer ishte larguar nga Turqia dy ditë para se ndaj tij të lëshohej një urdhër-arrest. Më 20 prill ai zbriti në Rinas dhe u gjurmua nëpërmjet kamerave në disa hotele në Tiranë dhe Durrës por më pas humbi gjurmët.

Dy javë më parë Policia e Elbasanit kishte marrë informacion se mashtruesi turk po fshihej në lagjen 5 maji në Elbasan. Prej andej u zhvendos në një vilë pushimi në Himarë aty ku u ndërhy nga policia dhe u arrestua.

Në apartamentin e të arrestuarit, policia sekuestroi si prova materiale laptopë, aparate celulare dhe karta bankash.

Personi i arrestuar, Faruk Fatih Ozer

Pas arrestimit është njoftuar pala turke se i shumëkërkuari i tyre ka rënë në pranga dhe kanë nisur procedurat e ekstradimit. 28 vjeçari do te përballet në vendin e tij me 3 vepra penale.

Më 2017 Faruk Ozer krijoi bursën “Thodex” ku tregtoheshin kriptomonedha. Në “Thodex” krijuan llogari të tyre rreth 400 mijë qytetarë kryesisht turk të cilët kishin investuar rreth 2.7 miliardë dollar. Në fillim të prillit të vitit të kaluar qytetarë të ndryshëm nuk patën më akses në llogaritë e tyre dhe ngritën padi për themeluesin e Thodex-it. Në një reagim në tëiter ai tha se kishim të bënim me një problem teknik dhe gjithçka do të zgjidhej por kjo nuk ndodhi dhe në 22 prill 2021, ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe u zbulua se fshihej në Shqipëri.

Pas muajsh kërkime në shtator të vitit 2021 policia arrestoi Elevaldo Haxhiun  si bashkëpunëtor të Faruk Ozer, por ai u lirua pas disa ditësh nga gjykata. 

Edhe gjate operacionit ne orët e para të së martës Faruk Ozer ishte në shoqëri të 37 vjeçarit Elevaldo Haxhiut i cili u shoqërua nga policia.

Po ashtu policia e Elbasanit ka arrestuar në vendin e ngjarjes dhe 36 vjeçarin Briken Shkëmbi nga Tirana./Shqip.com