Lajme

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Prishtinë, dyshohet se keqpërdori detyrën e tij zyrtare

Ilustrim.

Një person, ish-zyrtar i gjendjes civile në Prishtinë, tani i pensionuar, është arrestuar të mërkurën në Prishtinë, pasi që dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dyshohet që i arrestuari gjatë punës së tij zyrtare, në kundërshtim me ligjet, në disa raste me persona të ndryshëm, pa vërtetuar dhe verifikuar, i ka regjistruar në librat amzë kinse kanë qenë të regjistruar.

Më pas, të njëjtit ai i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile, kurse të dyshuarit kanë arritur që të pajisen me letërnjoftim dhe pasaportë dhe me të dhëna të rreme me të cilat dokumente janë paraqitur në shtetet perëndimore.

Policia e Kosovës

“Dyshohet se i njëjti gjatë punës së tij zyrtare, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, në disa raste me persona të ndryshëm, pa vërtetuar dhe verifikuar, në kundërshtim me të dhënat nga librat amzë të skanuar, personat e dyshuar i ka regjistruar në librat amzë kinse kanë qenë të regjistruar, dhe më pastaj të njëjtit i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile.

Kurse të dyshuarit kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese të RKS-së, si letërnjoftim dhe pasaportë me të dhëna të rreme me të cilat dokumente janë paraqitur në shtetet perëndimore”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, PK ka njoftuar se ndaj të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, teksa bëhet e ditur se janë inicuar edhe katër raste ndaj katër personave të tjerë të përfshirë nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “falsifikim i dokumentit” dhe ‘’Legalizim i përmbajtjes së rreme’’./SHQIP.com