Lajme

Arrestohet i arratisuri nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike

Ilustrim

I arratisuri nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, I.Sh., është arrestuar pas një letër-rreshtimi të lëshuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, transmeton Shqip.com.

Kështu është bërë e ditur nga vetë zyra për Komunikim e SHKK-së.

Policia e Kosovës ka arrestuar të arratisurin, ndërkohë që ai i është dorëzuar përsëri autoriteteve të SHKK-së në Prishtinë për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik, se pas letër – rreshtimit të lëshuar nga SHKK, për të arratisurin nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, I.Sh, policia e Kosovës ka arrestuar të njëjtin”, ka njoftuar Florent Gashi inga kjo zyrë.

“I njëjti pas arrestimit nga policia e Kosovës është dorëzuar tek autoritetet e SHKK-së në Q.P Prishtinë për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme”, shtoi më tej ai.

Një i paraburgosur ishte arratisur nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike dhe si pasojë e kësaj është suspenduar mbikëqyrësi i këtij instituti.

Përveç suspendimit të mbikëqyrësit të këtij instituti edhe tre zyrtarë të tjerë janë proceduar në komision disiplinor.

“Suspendimi i tyre ka ardhur për shkak të dyshimit se zyrtarët korrektues gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kanë shkelur procedurat e sigurisë institucionale”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Lidhur me rastin, SHKK ka iniciuar procedurë disiplinore dhe ka caktuar Komisionin Hetimor të Brendshëm, i cili “do të hetojë rastin në tërësi”.

Ndërkaq, i arratisuri është pranuar në paraburgim të premten e tre shtatorit të vitit 2021, i cili akuzohet për “veprën penale, lëndim i lehtë trupor”. /Shqip.com