Lajme

AMP: Ka dyshime të arsyeshme se Erion Muça ndërhyri në TIMS

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për dhënien e masës “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për shefin e IT-së në Polici, Ervin Muça.

AMP thotë se nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme që Muça ka ndërhyrë në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, në mënyrë të paautorizuar.

Kujtojmë se sot, katër ditë pas nisjes së punës të këtij komisioni, Prokuroria e Tiranës ka dhënë masën “arrest në shtëpi” për Muçën, i cili akuzohet se është personi që nga zyrat në Policinë e Tiranës, mori përmes USB-së të dhënat e sistemit TIMS.

Sistemi TIMS regjistron çdo hyrje dalje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në pikat kufitare të vendit.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit té Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasin E.M., me detyrë Drejtor i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe shtetas të tjerë.

Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Lexo edhe:
Eksportoi bazën e të dhënave të TIMS, Prokuroria vë zyrtarisht nën akuzë drejtorin e IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça

/Shqip.com